
James Ker-Lindsay, profesor në “London School of Economics and Political Science”, ka thënë se duhet të arrihet marrëveshja ndërjmet Kosovës dhe Serbisë, pa përjashtuar këtu edhe korrigjimin e kufijve nëse veç duhet.
“Ajo që e dimë është se ka nevojë për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta zgjidhë problemin një herë e përgjithmonë dhe për të gjithë dhe që do t’ia mundësojë Kosovës hyrjen në Kombet e Bashkuara. Duhet t’iu lihet dy palëve që të vendosin se çfarë marrëveshje do të arrijnë. Si shumë të tjerë, unë besoj se është e rëndësishme që palët të jenë mendjehapura”, ka thënë Ker-Lindsay për Express.
“Nëse Beogradi dhe Prishtina dëshirojnë të arrijnë marrëveshje territoriale, atëherë ne nuk duhet ta përjashtojmë një gjë të tillë. Kushti është që çfarëdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Përfundimisht, iu takon atyre të vendosin. Ne duhet të përshëndesim çfarëdo përpjekje që bëjnë për të arritur një marrëveshje”.
Ai madje thotë se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë e bazuar në pranimin nga të dyja palët.
“Elementet dhe gjera të çfarëdo marrëveshjeje janë tashmë të njohura. Çfarëdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë e bazuar në pranimin nga të dyja palët dhe njohjen e plotë. Një marrëveshje e tillë do ta dërgonte Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe Serbinë e Kosovën më afër integrimit evropian”.
“Ajo duhet të jetë gjithashtu në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe duhet të miratohet në mënyrë demokratike”.
Profesori madje është shprehur shumë entuziastë me emërimin e Matthew Palmer, në postin e Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor.
“Është një vendim i shkëlqyer”.
Ai thotë se me padurim pret të shoh punën që do të bëjë Palmer në detyrën e re, pasi, siç thotë ai, në opinion ishte krijuar një përshtypje se SHBA-ja ka larguar vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
insajderi.com