Kosova dhe SHBA me memorandum bashkëpunimi për 5G

Avdullah Hoti: Përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore për të qenë krah partnerëve tanë strategjikë siç janë SHBA në këtë fushë.

Kosova dhe SHBA me memorandum bashkëpunimi për 5G

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe nënsekretari amerikan i Shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, Keith Krach, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për krijimin e rrjeteve të pastra 5G.

Në Ambasadën e Kosovës në Shkup, kryeministri Hoti, pas nënshkrimit, tha se një memorandum i tillë është shenjë e fuqishme e presidentit amerikan Trump për të çuar përpara marrëveshjen e Uashingtonit.

“Përmes kësaj Kosova merr edhe obligimet e veta shtetërore për të qenë krah partnerëve tanë strategjikë siç janë SHBA në këtë fushë. Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje, besoj që kjo është shenjë e fuqishme e presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA-ve për të çuar përpara marrëveshjen e 4 shtatorit”, deklaroi Hoti.

Kurse, nënsekretari amerikan i Shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, Keith Krach tha se Kosova është partner strategjik shumë i vlefshëm për Amerikën.

Hoti po qëndron në një vizitë zyrtare më Maqedoninë e Veriut, ku aktualisht po takon përfaqësues të subjekteve politike./Insajderi.com