Kosova dhe Shqipëria bashkë në rrugëtimin e sigurisë rajonale

Kosova dhe Shqipëria bashkë në rrugëtimin e sigurisë rajonale

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka pritur në takim pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Nënkryetari i komisionit, Enver Dugolli, thotë se ky është kursi më i lartë i sigurisë dhe mbrojtjes.

Ai shprehu mirënjohjen për mundësinë e dhënë që edhe kuadro nga Kosova të kenë mundësinë të jenë pjesë e këtij kursi.

Dugolli theksoi se Kosova synon që sa ke parë të jetë anëtare e NATO-s, si garantuese e sigurisë së rajonit dhe jo vetëm.

“Komisioni ka 11 anëtarë, por fatmirësisht shumë rrallë apo hiç kemi divergjenca mes deputetëve të subjekteve politike kur kemi të bëjmë me çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky kurs ka dhe thellon në vazhdimësi bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kështu ndërtohen edhe raportet e ndërsjella”, tha ai, raporton KP.

Nga ana tjetër, zëvendësdekanja e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Etleva Smaçi thotë se është e lumtur që në çështjen e sigurisë dhe të mbrojtjes shqiptarët janë bashkë.

“Ne jemi shumë të kënaqur që jemi së bashku në rrugëtimin e sigurisë rajonale. Jemi bashkë të gjithë sepse siguria është e të gjithëve”, tha ajo.

Ndërsa koloneli, Altin Kurti, kërkoi të informohet më shumë lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit dhe për fokusin e komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes. /Insajderi.com