Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë pritur në takim ministrin e Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin kanë biseduar për promovimin e turizmit në dy vendet, transmeton Insajderi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se në këtë takim diskutuan për hapat që do të ndërmarrin dy ministritë në mënyrë që të lehtësohet bashkëpunimi dhe të eliminohet detyrimi për të paguar taksën në Kalimash.
“Diskutuam për nevojën e përgatitjes së kapaciteteve humane në mënyrë që turistët që shkojnë në Shqipëri për pushime. U diskutua se si rezultat i masave shihet si barriera për turizmin faktin që Kosova aplikon testin PCR”, ka thënë ndër tjera Bislimi.
Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se përveç turizmit kanë diskutuar edhe për trajtimin e mbeturinave.
“Do të kemi të bëjmë me grupe të përbashkëta rreth çështjeve kombëtare. Prandaj në bashkëpunimet tona ne do të krijojmë grupe punuese dhe do të realizojmë synimet e memorandumeve të nënshkruara ku gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë aktivistë të ndryshëm në aktivitetin për pastrimin e liqenit të Vërmicës”, u shpreh Aliu.
Nga ana tjetër, ministri i Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi ka thënë se në këtë takim diskutuan për problematikat e dy institucioneve sa i përket përgatitjes së masave për pushimet që do t’i bëjnë shqiptarët e Kosovës në Shqipëri.
“Për dy qeveritë është vendimmarrje e përbashkët sepse turizmi është industri shumë e rëndësishme e dy vendeve tona. Prandaj do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ofertat e përbashkëta të jetë realitet. Deti është i gjithë shqiptarëve. Kemi shumë punë për të bërë por i drejtohemi qeverive tona t’i nxisim të shtojnë investime. Me Liburnin folëm që bukuritë e pashfrytëzuar duhet të jenë atraksion tursitik. Folëm që parqet tona të jenë me rrugë e shtigje dhe lëvizje të lirë. Në kuadër të bashkëpunimit dua një Shqipëri dhe Kosovë të pastër dhe do të marrim aksione pastrimi”, tha Klosi. /Insajderi.com