Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me formimin e ushtrisë së Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar dje se transformimi i FSK-së në ushtri po ndodh në kohë të papërshtatshme dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për vendin.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka komentuar deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenbergut lidhur me çështjen e ushtrisë.
Berisha ka thënë që FSK-ja nuk mund të mbesë deri në pafundësi me misionin që ka aktualisht.
“Nëse tani nuk është koha, shtrohet pyetja se kur është koha që kjo të ndodhë? Ne nuk mund të presim deri në pafundësi dhe të mbetemi me misionin aktual”, ka deklaruar Berisha për “Zërin”.
Megjithëkëtë, Berisha është shprehur i bindur se nuk do të ketë cenim të raporteve me partnerët strategjikë të Kosovës.
“Nuk mund të ketë. Minimumi i bashkëpunimit të NATO-s është ky që kemi. NATO-ja funksionon mbi bazën e konsensusit dhe në kuadër të NATO-s janë katër shtete, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për ta marrë ndonjë vendim për ta ulur bashkëpunimin që e kemi duhet të ketë pajtueshmëri të të gjitha shteteve që janë pjesë e NATO-s. Ne e kemi mbështetjen e shteteve të fuqishme që janë brenda NATO-s”, ka theksuar ai, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë dakorduar me NATO-n qysh në fillim.
Madje sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim me NATO-n, edhe gjatë viteve paraprake.
“Ne edhe progresin që e kemi bërë e kemi bërë në bashkëpunim me NATO-n. Edhe kryesimet e kapaciteteve operative janë bërë prej NATO-s më 2013-n dhe koha që kemi pritur prej 2014-s ka qenë qëllimi që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese. Ne pajtohemi që është varianti më i mirë, por askush nuk e ka atë të drejtë që ta përdorë veton që ne të mos e kemi ushtrinë tonë”, ka nënvizuar ai.
Rrjedhimisht kreu i MFSK-së ka konsideruar se Kosova nuk duhet të zmbrapset nga kjo nismë.
“Nuk ka arsye që ne të heqim dorë prej së drejtës sonë, pavarësisht këtyre pengesave eventuale që mund të jenë”, ka nënvizuar Berisha.
Lidhur me çështjen e ushtrisë gjatë së mërkurës është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ushtria po bëhet për ta ruajtur paqen e jo për ta okupuar veriun e Kosovës, siç po deklarojnë mediet serbe.
“Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar. Ushtrinë e kemi për Afganistan dhe për Irak, për t’u ndihmuar shteteve”, ka theksuar kreu i ekzekutivit.