Vendimi i qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës ndaj produkteve serbe, ka shkaktuar reagime të ashpra.
Në mesin e tyre është edhe ai nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Kjo e fundit në një komunikatë për media ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë këtë vendim, shkruan Insajderi.
“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja në 100%, është shkelje e qartë e Marrvëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10% javën e kaluara. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Moghernit.
Por a do ta dëgjojë Qeveria urdhërinë e BE-së?
Gazeta Insajderi vazhdimisht ka kërkuar përgjigje nga zyrtarë të qeverisë, për të marrë një përgjigje, por ata nuk kanë pranuar të flasin.
Shefi i kabinetit të kryeministrit, Avni Arifi ka kërkuar nga redaksia që t’i drejtohet zyrës për informim.
E në anën tjetër as zyra për media e qeverisë nuk ka qenë e çasshme për të dhënë një përgjigje, nëse do ta tërheqin taksën.
Qeveria gati 10 ditë pas taksës së parë, nuk e kishte marrë parasysh reagimin e BE-së.
Këta të fundit kishin kërkuar tërheqjen e taksës, por që ajo vazhdoi të mbetet në fuqi, për tu rritur sot.
Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para komunikatës së BE-së, tha se reagimet do të jenë të pritshme.
“Nëse Serbia vazhdon me këtë agresivitet, ne duhet ta respektojmë vetën. Ne e kemi vazhduar dialogun, edhe pse produktet tona nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi”, ka thënë Haradinaj.
Në liodhje me vendimin e qeverisë së Kosovës, Vuçiq në anën tjetër, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë.
Ai pritet të mbajë një konferencë për media, sapo të përfundojë ajo mbledhje. /Insajderi.com