Byroja Kosovare e Sigurimit ka shprehur gatishmërinë për heqjen e aplikimit të sigurimit kufitar me Bosnjë e Hercegovinën, përmes njohjes reciproke të certifikatave të sigurimit të vlefshme për vendet respektive, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për medie, ku thuhet se mbështetjen për këtë drejtori Ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku, e ka shprehur të hënën në takim më deputeten e Kuvendit, Duda Balje.
Balje ka kërkuar nga BKS-ja që në bazë të kompetencave ligjore që ka, të shikojë mundësinë që Kosova dhe Bosnja të heqin aplikimin e sigurimit kufitar, duke zbatuar modalitetet e njohura nga sistemi i Kartonit të Gjelbër.
“Ne sot takuam drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimit. Nga i njëjti kërkuam që të hiqet kjo pengesë për qarkullimin e qytetarëve të të dy vendeve. Mazreku na dha mbështetje për këtë iniciativë për të cilën vlerësoj që do të mirëpritet nga dy vendet. Kjo nismë do të ishte pozitive, pasi që edhe Qeveria ka marrë vendim që të udhëtohet me letërnjoftime”, tha ajo, njofton BKS-ja.
Ndërkaq, Mazreku ka shprehur gatishmërinë për të hapur një dritare të re të bashkëpunimit me Bosnjë Hercegovinën. /Insajderi.com