Kosova e gatshme të ndihmojë Gjermaninë pas përmbytjeve të fundit

Kosova e gatshme të ndihmojë Gjermaninë pas përmbytjeve të fundit

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi të enjten se ka telefonuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, të cilit i ka shprehur vullnetin për të ofruar mbështetje te institucionet gjermane me të gjitha aftësitë dhe kapacitet operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet atje.

Përmes një postimi në Facebook, Mehaj tha vullnetin e plotë për dislokim të njësive specializuara me personel dhe pajisje adekuate në zonat e përmbytura në Gjermani e ka adresuar edhe përmes Letrës zyrtare, njofton Insajderi.

“Pas lajmit të dhimbshëm për pasojat e përmbytjeve në Gjermani, menjëherë kam telefonuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Rohde, të cilit i shpreha ngushëllimet në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur institucionet gjermane me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet e sotme.

Vullnetin tonë të plotë për dislokim të njësive tona të specializuara me personel dhe pajisje adekuate në zonat e përmbytura në Gjermani e kam adresuar edhe përmes Letrës zyrtare”, ka shkruar ai.

Përmbytjet në Gjermaninë Perëndimore kanë shkaktuar mbi 50 të vdekur e dhjetëra të zhdukur deri tani./Insajderi.com