Me të marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, sukses i Presidencës sllovene në raport me Ballkanin Perëndimor do të konsiderohej arritja e liberalizimit të vizave për kosovarët. Por, vetë diplomacia sllovene thotë se është në duar të Kosovës që të negociojë me vendet anëtare skeptike të BE-së dhe t’i bindë ato.
Pavarësisht se ky shtet përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë thonë se kjo çështje varet nga 27 shtetet anëtare të Unionit Evropian.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi nga MPJ-ja sllovene, thonë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe e mbështesin atë, mirëpo në programin e bërë publik nga ky vend për drejtimin e presidencës nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2021, nuk përmendet kjo çështje.
“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të liberalizimit të vizave me BE-në për Kosovën dhe ne e mbështesim atë. Vendimi tani është në duart e vendeve anëtare të BE”, thonë për redaksinë nga MPJ-ja e Sllovenisë.
“Është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të zhvillojë dialog të rregullt me vendet anëtare “skeptike” të BE dhe t’i bindë ato. BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare dhe të gjithë duhet të jenë në bord për vendimet”, thuhet më tej në përgjigjen me shkrim.
Ndonëse Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin që nga viti 2018 se janë përmbushur të gjitha kushtet e është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian, çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së.
Disa shtete anëtare, që më së shumti përmendet Franca, nuk mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, prandaj kjo çështje vazhdon të mbetet e bllokuar.
Përpjekjet e Gjermanisë gjatë vitit të kaluar dhe të Portugalisë në pjesën e parë të këtij viti, nuk kishin rezultuar me sukses rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Nëse gjatë presidencës së Sllovenisë nuk arrihet të merret një vendim për këtë temë, atëherë gjithçka do të bartet për vitin që vjen kur kryesimin e radhës do ta ketë Franca.
Mes prioriteteve të Sllovenisë gjatë këtij gjashtë-mujori, është veçuar edhe avancimi i Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane dhe qëllimisht është caktuar edhe zhvillimi i një samiti të veçantë të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Brdo.
“Gjatë presidencës së saj, Sllovenia do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar vazhdimin e procesit të zgjerimit me Perëndimin Vendet e Ballkanit në përputhje me rishikuar metodologjia e zgjerimit”, thuhet në raportin e Presidencës sllovene.
Në këtë raport thuhet se do të mbështesin progresin në zgjidhjen e çështjeve në rajon, të tilla si dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit.
Presidenca sllovene do të vë theks të veçantë në vazhdimin e proceseve të zgjerimit dhe stabilizimit me partnerët e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në miratimin e kornizës negociuese për Republikën e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.com