Krye-diplomatja, Meliza Haradinaj-Stublla, është takuar në një takim lamtumirës ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, përcjell Insajderi.
Temë kryesore ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Diskutuam për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend dhe rajon dhe për raportet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Thelbësore në këtë aspekt është vazhdimi i projekteve të përbashkëta ndër-kufitare dhe infrastrukturore siç është rruga Deçan-Plavë, që është potencial i zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rajonit”.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme theksoi se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi mbesin të mira, falë orientimit të njëjtë euro-atlantik.
“Është e rëndësishme që të ri-funksionalizojmë Qendrën Zhvillimore të Malit të Zi në Prishtinë, që të jetë në shërbim të të gjitha shoqatave të përfaqësimit të Malit të Zi në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, diskutuam për situatën në rajon ku potencova që Serbia duhet të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Uashingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë – me të gjithë, përfshirë Malin e Zi dhe Bosnjën”. /Insajderi.com