Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes palëve për situatën sa i përket reciprocitetit me targat e veturave, përcjell Insajderi.com.
Në një adresim për media, Bislimi tha se kanë arritur të krijojnë një draft final, ku po pritet vetëm miratimi nga ana e palës serbe.
“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final”, ka thënë ai.
Sipas Bislimit, marrëveshja parasheh tri elemente, ndër të cilat është se nga e hëna, Kosova dhe Serbia do të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave.
“Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka shtuar Bislimi.
“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.
Ndryshe, që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë me tabelat e veturave.
Sipas kësaj mase, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat janë të përkoshme e që zgjasin 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, serbët lokal kanë dalur në pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që nga dita e parë e reciprocitetit duke bllokuar rrugët dhe duke mos lejuar kështu qarkullimin e asnjë veture.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare./Insajderi.com