Kosova ekstradon në Shqipëri, Burim Haxhiollin, i dënuar me 13 vjet burgim

Kosova ekstradon në Shqipëri, Burim Haxhiollin, i dënuar me 13 vjet burgim

Kosova ka ekstraduar për në Shqipëri, 40-vjeçarin nga Suhareka, i cili ka qenë në kërkim që një kohë të gjatë.

Në njoftimin e Policisë së Shqipërisë, thuhet se “nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit kosovar :Burim Haxhiolli , 40 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë”.

Ai është i dënuar me 13 vjet burg për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 287/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

“Ekstradohet nga Kosova një shtetas i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit kosovar :Burim Haxhiolli , 40 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë. Shtetasi Burim Haxhiolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 13 vjet burg për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 287/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Ndërkaq edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh sot ka bërë të ditur për ekstradimin e Haxhiollit.

“Është raportuar se në bazë të urdhëresës ndërkombëtare lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë, është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti iu është dorëzuar autoriteteve të Shqipërisë”, thuhet në raportin e PK’së.

Shtetasi Burim Haxhiolli në bashkëpunim me shtetasin V.K, kanë përfituar me anë të mashtrimit shuma të mëdha nga persona të ndryshëm gjatë vitit 2009 dhe 2010 në Shqipëri.

Më pas këto shuma parash i kanë transferuar nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.