Kosova ende pa vaksina, Tolaj: Autoritetet nuk treguan vizion dhe largpamësi

Kosova ende pa vaksina, Tolaj: Autoritetet nuk treguan vizion dhe largpamësi

Rritja e rasteve të infektimit me Coronavirus në javët e fundit në Kosovë si dhe mungesa e vaksinës anti-COVID ka shqetësuar qytetarët dhe autoritetet shëndetësore, transmeton Insajderi.

Për rritjen e rasteve infektologu, Ilir Tolaj ka fajësuar partitë politike të cilat kanë zhvilluar tubime gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Ai për Euronews Albania ka thënë se partitë në takim me qytetarët nuk kanë respektuar masat anti-COVID dhe kjo ka bërë që numri i infektimeve të rritet ndjeshëm.

Ndërsa, lidhur me mungesën e vaksinave, mjeku infektolog i ka fajësuar strukturat shëndetësore dhe ato politike.

Sipas tij, këto struktura janë treguar jolargpamëse sa i takon sigurimit të dozave për të nisur procesin e vaksinimit në vend.

“Autoritetet e Kosovës u treguan jolargpamëse, që të fillonin kontaktet me prodhues eventualë. Ka qenë një farë neglizhence e madhe ose mungesë vizion dhe angazhimi serioz për të siguruar vaksina edhe në rrugë të tjerë, përveç mekanizmit COVAX”, ka theksuar Tolaj./Insajderi.com