Kosova ende paraqitet pjesë e Serbisë në disa libra shkollor – MASHT-i s’ka përgjigje

Lidhur me këtë, Gazeta Online Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por pas disa ditësh pritje e premtime nga zyrtarë për media se janë duke u marrë me këtë çështje dhe se do të kthejnë përgjigje, një gjë e tillë s’ka ndodhur.

Kosova ende paraqitet pjesë e Serbisë në disa libra shkollor – MASHT-i s’ka përgjigje

Ndonëse kanë kaluar 22 vjet kur Kosova është çliruar nga Serbia dhe 13 vjet prej kur ka shpallur pavarësinë, megjithatë në disa libra shkollor në Kosovë vazhdon të paraqitet si pjesë e Serbisë.

Në dy librat e lëndës së gjeografisë me të cilat mësojnë nxënësit e klasës së 10 dhe ata të 11-tës në gjimnazet e shkencave shoqërore, në disa prej njësive mësimore nuk ekzistojnë kufijtë territorial të Kosovës.

Lidhur me këtë, Gazeta Online Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por pas disa ditësh pritje e premtime nga zyrtarë për media se janë duke u marrë me këtë çështje dhe se do të kthejnë përgjigje, një gjë e tillë s’ka ndodhur.

Të njëjtit kanë kthyer përgjigje vetëm për pyetjet lidhur me testin e arritshmërisë, por jo edhe për testet shkollore.

“Këtu i keni përgjigjet e Divizionit për sigurimin e cilësisë, standarde, vlerësim dhe licencim në MASHTI në lidhje me pyetjet për testin e arritshmërisë, ndërkaq për tekstet shkollore nuk kam pranuar ende përgjigje”, ishte përgjigja e këshilltares për media e MASHTI-t, Edona Kutleshi.

I shqetësuar që këto libra vazhdojnë të jenë akoma në përdorim është shprehur mësimdhënësi i gjeografisë Mërgim Teplani.

Ai në një prononcim për Insajderi-n tha se për korrigjimin e tyre s’ka nismë serioze nga Ministria e Arsimit.

“Fatkeqësisht librat janë ende në përdorim. Për ta saktësuar, më datë 27 qershor 2019, me vendim të Ministrisë së Arsimit, këto tekste lejohen në përdoren në procesin mësimor”, deklaroi Teplanim derisa shtoi se në pesë raste në librin e klasës së 10-të Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, ndërsa një rast në klasën e 11-të.

Sipas tij, arsyetimi i Ministrisë së Arsimit para një viti ka qenë se do t’i korrigjojnë, por s’ka asnjë nismë në këtë drejtim.

Tutje, profesori i gjeografisë tha se jo vetëm harta, në librat e gjeografisë të këtyre dy klasave ka “paqartësi shkencore, më shumë komplikojnë se sqarojnë, nuk përputhen me kërkesat e kurrikulës dhe janë të varfër në aspektin didaktik”.

Teplani tha se zërit të tij për të kërkuar korrigjim të këtyre teksteve nuk i janë bashkuar kolegët mësimdhënës, megjithatë shtoi se “i kuptoj se frikësohen”.

“Nuk kam marrë mbështetje nga kolegët, por i kuptoj se frikësohen se ndoshta mund të humbasin vendet e punës”.

I pyetur se a ka marrë ndonjëherë kërcënime për reagimet e tij kundër MASHTI-t, pohoi se një gjë e tillë ka ndodhur “në mënyrë indirekte”, duke mos dhënë më shumë detaje.

Problem tjetër serioz del të jetë përpilimi i testeve të arritshmërisë.

Në këtë të fundit që u mbajt për klasët e nënta javë më parë, një pyetje ishte pa përgjigje, pasi të gjitha opsionet e ofruara ishin gabim.

Për gabimin janë në dijeni edhe Ministria e Arsimit, të cilët në një përgjigje për gazetën thanë se anëtarët e komisionit që kanë përpiluar testin do të ju ndërpritet bashkëpunimi. Ndërkaq, “asnjë nxënës s’do të penalizohet”.

Por, lëshime të tilla në testin e arritshmërisë nuk janë befasi për Teplanin.

Sipas tij, të tilla ka pasur edhe në testin e maturës të vitit 2019.

“13 pyetje kanë qenë jashtë planprogramit mësimor, që i bie më shumë se 20 për qind. Nxënësit janë njoftuar për herë të parë me pyetjet në test”.

Ai tha se për gabimet e lëshuara është ankuar në Komisionin që harton pyetjet e testit të maturës, por “jam trajtuar shumë keq”.

“Nuk ua di emrat anëtarëve, por nuk kam marrë përgjigje për kërkesën me shkrim, vetëm janë tallur me mua. Ankesa ime ka shkuar në bërllok. Çdo vit në teste të arritshmërisë ka pyetje me përgjigje të pasakta”, theksoi Teplani.

E zgjidhja e këtij problemi sipas tij është e thjeshtë.

“Në komisione për përpilimin e testeve të arritshmërisë duhet të marrin pjesë edhe mësimdhënësit. Në komisione nuk bën pjesë asnjë mësimdhënës i shkollës fillore apo të mesme. Nëse kishim me qenë pjesë e komisionit, nuk do të kishin ndodhur këto lëshime. Këtë kërkesë e kam parashtruar në ministri”.

Por, kjo e fundit ka pohuar se “çdo herë pjesë e komisionit janë mësimdhënës të shkollave si dhe një profesor universitar i lëndës përkatëse”./Insajderi.com

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

photyo