Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, atë të Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë.
Në mbledhjen e sotme virtuale të ekzekutivit, është miratuar edhe vendimi për mbulimin e primit të policës së sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt të cilën hyjnë në territorin e Kosovës.
Qeveria do të subvencionojë policën e sigurimit një mujorë të lëshuar brenda periudhës 01.08.2020 – 31.12.2020. Me po këtë vendim është themeluar Grupi punues ndërinstitucional për ndërmarrjen e masave të duhura dhe përgatitjen e kushteve për aplikim në kartonin e gjelbër.
Siç njoftohet, në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar Raportin për nivelin e ekzekutimit të projekteve të financuara nga huamarrja ndërkombëtare. Sipas Raportit, gjendja e borxhit publik në datën 30 qershor 2020 ishte 1 miliard e treqind e katërmbëdhjetë milionë e njëqind e njëzetmijë euro, prej të cilave 426.62 milionë 137 euro janë borxh ndërkombëtar, ndërsa 884.51 milionë borxh i brendshëm. Kjo përbën 18.17 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Në këtë mbledhje janë shqyrtuar dhe miratuar edhe koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, I cili analizon situatën e krijuar pas riorganizimit të Qeverisë së Kosovës dhe shuarjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Koncept dokumenti për sëmundjet ngjitëse, I cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit aktual për sëmundjet ngjitëse, me të cilat do të mundësojë një menaxhim të drejtë të sëmundjeve ngjitëse nga ana e profesionistëve shëndetësorë, përfshirë edhe parandalimin, zvogëlimin e rrezikut dhe të përhapjes si dhe trajtimin e adekuat të sëmundjeve ngjitëse.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për aprovimin e kritereve për financim të projekteve të komunave nga programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio ekonomike. Financimet do të bazohen në këto kritere: Së paku një takim publik i mbajtur me qytetarë gjatë vitit 2019 (vlerësohet me 20 pikë); Së paku 10 mbledhje të mbajtura nga kuvendet komunale gjatë viti 2019 (vlerësohen me 20 pikë); Funksionimi i komiteteve te përhershme në komunë (vlerësohet me 20 pikë); Realizimi i Buxhetit për vitin 2019, në minimum prej 50 për qind (vlerësohet me 20 pikë); Vlerësimi i ligjshmërisë së akteve të jetë në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi (vlerësohet më 20 pikë. Komunat që realizojnë mbi 60% të kritereve përzgjidhen si konkurrentë potenciale për përfitimin e fondeve, ndërsa projekt propozimet duhet të jenë projekte kapitale dhe infrastrukturore deri në shumën prej 50 mijë euro.
Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, është autorizuar Ministri i Shëndetësisë që të bëjë plotësim – ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Organizimin, strukturën, përcaktimin e shërbimeve dhe veprimtarisë së Institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor duke tejkaluar procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar. Plotësim ndryshimet do t’u mundësonin institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë të testojnë për prani të antigjeneve të SARS-CoV 2 ose të antitrupave ndaj SARS-CoV 2. /Insajderi.com