Kosova i bashkohet Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave

Kosova i bashkohet Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se Republika e Kosovës i është bashkëngjitur thirrjes globale të veprimit për fuqizim ekonomik të grave, një iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përkrahje të avansimit të pjesëmarrjes së plotë dhe të lirë të grave në ekonomi, njofton Insajderi.

Me këtë rast, kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla nënshkroi deklaratën zyrtare të Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave, duke iu bashkuar homologëve nga shumë shtete të botës për të riafirmuar rolin e rëndësishëm që kanë gratë për përparim shoqëror dhe zhvillim ekonomik.

“Përmes deklaratës nënvizohet fuqishëm rëndësia që ka mënjanimi i barrierave për pjesëmarrje të plotë dhe të lirë të grave në ekonomi si dhe afirmohet roli i Republikës së Kosovës në ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar në avansimin e fuqizimit ekonomik të grave”.

“Përmes përkrahjes dhe bashkëngjitjes në këtë thirrje, Republika e Kosovës merr përsipër që të identifikojë dhe zhvillojë plane të brendshme për të avansuar me reforma ligjore, rregullative dhe në nivel të politikbërjes në fushat kryesore të cilat nxisin pjesëmarrjen e plotë dhe të lirë të grave në ekonomi, sigurimin e të drejtave pronësore dhe nxitjen e mundësive për të punuar në të njëjtat punë dhe sektorë sikurse dhe burrat”, thuhet në komunikatën e MPJD-së. /Insajderi.com