Kosova i ofron Amerikës mundësinë e krijimit të një baze të përhershme ushtarake

Kosova i ofron Amerikës mundësinë e krijimit të një baze të përhershme ushtarake

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se “do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.

Këtë Mehaj e ka bërë të premten derisa zhvilloi vizitë zyrtare në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, ku u prit nga Nën-Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl, njofton Ministria e Mbrojtjes.

“Me këtë rast, ministri Mehaj e njoftoi Nën-Sekretarin Kahl, me punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithashtu, ministri Mehaj e njoftoi atë se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë.

May be an image of 5 people, people sitting, people standing and indoor

Foto nga takimi

“Ndërlidhur me këtë, ministri Mehaj e falënderoi Nën-Sekretarin Kahl duke shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën, në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike”.

“Nga ana e tij, Nën-Sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke e falënderuar ministrin Mehaj për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se ai ka vlerësuar edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.

Ndër të tjera, Nën-Sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare.

Nën-Sekretari Kahl ka theksuar se “përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së  do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale”./Insajderi.com