Kosova i ofron ndihmë edhe Austrisë pas përmbytjeve në këtë vend

Kosova i ofron ndihmë edhe Austrisë pas përmbytjeve në këtë vend

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, thotë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme t’i ofrojnë ndihmë edhe Austrisë, pas prekjes edhe të këtij shteti nga vërshimet, njofton Insajderi.

Mehaj me anë të një postimi në Facebook, njofton se i është drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, Weidinger për mbështetje të plotë.

“Pas Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e Luksemburgut, sot nga përmbytjet ka pësuar edhe Austria. Me përgjegjësinë më të madhe, me letër zyrtare ju kam drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, z.Weidinger, ku shpreha vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve austriake me kapacitetet tona operacionale të specializuara të FSK-së në dispozicion, për menaxhimin e situatave të ngjashme. Maksima jonë tradicionale ‘Miku i mirë në ditë të vështirë’ ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë vlerë e natyrshme e popullit dhe shtetit tonë”, ka shkruar Mehaj.

I pari i Ministrisë së Mbrojtjes ditë më parë ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar edhe Gjermaninë për të njëjtën arsye.

Gjermania është shteti më i goditur në Evropën Perëndimore nga përmbytjet këtë javë, ku si pasojë e tyre, vetëm në këtë shtet kanë humbur jetën më shumë se 150 persona.

Përveç Gjermanisë e Austrisë, të prekura nga vërshimet janë edhe Belgjika e Holanda. /Insajderi.com