Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës për 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia, në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Qeveria e Kosovës e ndryshoi vendimin e 6 nëntorit te Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina. “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në qeveri.
Ishte ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, gjatë mbledhjes propozoi ndërrimin e masës nga 10, në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Shala në mbledhje të Qeverisë e ka arsyetuar vendimin, duke dhënë shkaqet që duhet të merret ky vendim. Shala ka thënë se pas një analize që është bërë nga departamenti i Tregtisë, ka ardhur një propozim i tillë.
“Për më tepër ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë. Problemet tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së”, deklaroi ai. /Insajderi.com