Kosova ka 1 pistë, por asnjë helikopter për transport mjekësor

Kosova ka 1 pistë, por asnjë helikopter për transport mjekësor

Edhe pse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ekziston pista ku mund të aterojnë helikopterët për qëllime të transportit mjekësor, midis Klinikës Emergjente dhe Qendrës Klinike Universitare Stomatologjike, personeli mjekësor i urgjencës së Kosovës nuk ka në dispozicion asnjë ambulancë ajrore.

Këtë punë e bën ushtria me ndihmën e KFOR-it.

Një grup në nivel ndërqeveritar, me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe ekspertë të fushës së sigurisë kanë bërë një plan i cili parasheh që Qeveria të sigurojë tre helikopterë, por një plan i tillë për shtimin e mjeteve ajrore është projekt i mbetur në kohën para fillimit të pandemisë.

Të paktën kështu bëhet e ditur për Gazetën Online Insajderi nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët thonë se deri në realizimin e këtij plani, transportin e të lënduarve e bëjnë KFOR-i, duke ndihmuar në evakuime emergjente.

“Plani parasheh që Qeveria e vendit të sigurojë tre helikopterë, që do të përdoreshin për ndërhyrje në situata emergjente, sipas nevojës, përfshirë edhe situatat kur kërkohet evakuim për qëllime shëndetësore, transport më të shpejtë të pacientëve në situata emergjente nga zona më të largëta e më të vështira për t’u arritur me mjete të tjera”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie drejtuar redaksisë.

“Helikopterëve të tillë u duhet platforma ku ata aterojnë, diçka që në QKUK ekziston midis Klinikës Emergjente dhe Qendrës Klinike Universitare Stomatologjike, sikur që një bazë e tillë për lëshim është e paraparë edhe në projektin e Qendrës së re Emergjente”.

Ndonëse evakuimi emergjent mjekësor bëhet nga KFOR-i, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se “Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së ka një personel të trajnuar dhe certifikuar për evakuim mjekësor me helikopter në kampin Bondsteel nga ana e instruktorëve të KFOR-it amerikan”.

Mirëpo, nuk mund të thuhet se ka munguar kujdesi nga ky dikaster. Bëhet e ditur se FSK është në proces të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Njësisë së Helikopterëve dhe në këtë fazë, me prioritet përgatitjen e kuadrove për pilotim dhe inxhinierë të fluturimit.

“Aktualisht kemi kontingjentin e specializuar të pilotëve dhe inxhinierëve të fluturimit të helikopterëve dhe një kadet në Akademinë e Forcave Ajrore të SHBA-së”, thotë për Insajderin, kolonel Sefer Isufi.

Se Klinika Emergjente e SHSKUK-së ka një pistë aterimi për helikopter e ambulancës ajrore e thotë edhe drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani.

Lenjani sqaron se kjo pistë është funksionale që nga viti 2000 – ndërsa atë e shfrytëzon vetëm KFOR.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK – Klinikës Emergjente ka një Heliopadë ose Pistë për aterimin e ambulancës ajrore funksionale që nga viti 2000. Kurse sa i përket spitaleve regjionale jo të dizajnuara sepse kërkojnë standarde. Këtë pistë e shfrytëzon KFOR në rast ndonjë emergjence mjekësore”, ka thënë Lenjani për Insajderin.

Ai shton se në vitin 2017 Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për projektin e dërguar nga grupi punues për njësitin e helikopterëve dhe për blerjen e ambulancës ajrore.

I pyetur nëse ka plane për furnizim me mjete të tilla, Lenjani thotë se kanë kërkuar nga Qeveria në janar të vitit 2017 furnizim me larmi të madhe të prodhimeve të helikopterëve, por që nuk është parë si prioritet i asnjë prej qeverive të ndërruara deri më sot.

“Projekti i përfshin të gjitha detajet si në aspektin teknik, operative dhe mjekësor. Ekziston një larmi e madhe e prodhimeve të helikopterëve që përdoren për modelet civile HEMS. Llojet e përdorura zakonisht janë Bell 206, 407 dhe 429, Eurocopter AS350, BK117, EC130, EC135, EC145. Numri i kërkuar 135, 145, të llojit të ambulancës ajrore”, ka thënë ai.

“Unë si menaxher i Klinikes Emergjente kam hartuar një projekt ideor për ambulance ajrore 2010, kurse me vendimin e Qeverisë së Republikë së Kosovës të datës dt. 23.01.2017, grupi punues ka hartuar në mënyrë detale projektin Ambulancës ajrore dhe është dorëzuar Qeverisë së Republikë së Kosovës. Projektin detal mund të gjeni në arkivat e Qeverisë së Kosovës”, shton Lenjani. /Insajderi.com