Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar doza të vaksinës anti-COVID – donacione nga disa shtete evropiane, transmeton Insajderi.com.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili shtoi se mbi 133 mijë doza të vaksinës AstraZeneca janë hequr nga përdorimi nga institucionet shëndetësore të Kosovës për shkak se të njëjtave iu ka skaduar afati i përdorimit.
“Kanë qenë oferta për donacione, pas asaj që i kemi marrë nga Norvegjia, që kanë pasë një afat skadimi jooptimal që do të na kishte garantuar se do t’i administrojmë te qytetarët tone”, tha Vitia.
“Me rekomandim të Komitetit me mirësjellje i kemi falënderuar dhe refuzuar sepse ka pasë rrezik që edhe ato të mos mund t’i administrojmë”, deklaroi më tej ai.
Sipas Vitisë, refuzimi i qytetarëve për t’u vaksinuar me këtë vaksinë erdhi për shkak të “disa teorive konspiracioni në raport me këtë vaksinë dhe disa deklarata të papërgjegjshme për vaksinat dhe afatin e tyre bëri që qytetarët në masë të madhe të hezitojnë për vaksinim me këtë vaksinë”.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, deri tash janë administruar rreth 900 mijë vaksinime në vend. Prej tyre 305 mijë qytetarë janë të vaksinuar me të dyja dozat. /Insajderi.com