Ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedajt i ishte rezervuar një vend i veçantë gjatë Konferencës së Pestë të Ambasadorëve.
Dedajt i ishte kërkuar shkarkimi kohë më parë për shkak të deklaratave nxitëse të tij kundër shtetit turk.
Për këtë edhe deputetët e minoritetit turk në Kosovë kishin kërkuar nga Haradinaj shkarkimin e tij, ose përndryshe kërcënuan se do të largoheshin nga koalicioni, shkruan Insajderi.
Por kjo nuk e ka ndalur ambasadorin e shumëkritikuar që të ulet në rendin e parë në një ceremoni të rëndësishme si Konferenca e Pestë e Ambasadorëve.
Në një vijë me presidentin, kryeparlamentarin, e zv/kryeministrat ishte i ulur edhe Gjergj Dedaj.
Gazeta Insajderi kishte shkruar vazhdimisht për skandalet e këtij ambasadori.
Dedaj kohë më parë i kishte kërkuar një borxh prej 400 eurove një bashkatdhetari në Berlin, borxh të cilin nuk ia kishte kthyer.
Ai gjithashtu dyshohet se kishte shfrytëzuar 33 mijë euro nga kredit-kartelat e qeverisë, dhe mbi 8 mijë euro tjera për avance pa mbulesë.
Ambasadori që njihet për deklaratat e tij të çuditshme gjithashtu ishte paditur nga një qytetar për shkak se i kishte mbetur borxh disa mijëra euro për banesën që e kishte shfrytëzuar në sheshin Nëna Terezë. /Insajderi.com