Kosova me media pjesërisht të lira – sulmet kundër drejtuesve të Insajderit cilësohen të rënda  

Dy rastet më të rënda të sulmeve mbi gazetarët, “Reporterët pa kufij”, kanë renditur sulmet fizike kundër gazetarëve hulumtues, Vehbi Kajtazi e Parim Olluri – drejtues të Gazetës Insajderi, si dhe sulmin verbal të kryeministrit, Ramush Haradinaj ndaj gazetarëve kur i kishte quajtur të “pashkollë”.

Kosova me media pjesërisht të lira – sulmet kundër drejtuesve të Insajderit cilësohen të rënda  

Kosova është renditur më se keqi, pas Maqedonisë në listën e vendeve të rajonit sa i përket lirisë së medieve. Organizata ndërkombëtare që merret me liritë dhe të drejtat e gazetarëve, “Reporterët pa kufij”, e ka renditur Kosovën në vendin e 78, pas Sebisë dhe Shqipërisë.

Shqipëria ka shënuar ngritje për një pozitë. Nga vendi i 76-të sa ishte vitin e shkuar, tani ajo zë pozitën e 75-të në këtë listë.

Serbia më 2017 ishte në vendin e 66-të, ndërsa tani ka pësuar rënie për dhjetë vende duke u pozicionuar në të 76-ën pozitë.

Maqedonia sivjet është në pozitën e 109-të, duke shënuar ngritje për dy pozita në krahasim me vitin e shkuar.

Kosova është një vend para Sierra Leonës dhe Moldavisë. Qëndron në mesin e shteteve me shtyp pjesërisht të lirë.

Dy rastet më të rënda të sulmeve mbi gazetarët, “Reporterët pa kufij”, kanë renditur sulmet fizike kundër gazetarëve hulumtues, Vehbi Kajtazi e Parim Olluri – drejtues të Gazetës Insajderi, si dhe sulmin verbal të kryeministrit, Ramush Haradinaj ndaj gazetarëve kur i kishte quajtur të “pashkollë”.

“Reporterët pa kufij”, thonë në raport se mediat në Kosovë vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga politika, presioni financiar dhe varësia nga pronarët.

“Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si tradhtarë ose ‘simpatizues të serbëve’”, shkruan në raport.

Me kësi sulmesh dhe epitetesh janë përballur gjatë gjithë vitit gazetarët, Kajtazi e Olluri. Në disa raste deputeti i koalicionit qeverisës, Milaim Zeka ka mbajtur fjalime në Kuvend duke sulmuar e linçuar Insajderin dhe drejtuesit e këtij mediumi, si spiun të Serbisë të financuar nga nëntoka.

Këto sulme prej tij kanë ardhur pas raportimeve se Zeka, ka mashtruar 920 kosovarë me viza pune në Gjermani. Ai ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim. Pritet të akuzohet për krim të organizuar, shpërlarje parash dhe shmangie nga tatimi.

Shteti, ia ka sekuestruar tri banesa në Prishtinë të cilat dyshohet se i ka blerë me para të mbledhura nga krimi.

“Reporterët pa kufij” kanë përkujtuar rastin kur kryeministri Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë në një vizitë që ia ia kishte bër ministrit Pal Lekaj në ditët e para të qeverisë së tij

“Pak ditë pasi kishte krijuar qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët ‘të pashkollë’ dhe i këshilloi që të kthehen në shkollë”, thuhet në përshkrimin e situatës së mediave në Kosovë.

Në raport përmenden sulmet fizike kundër gazetarëve hulumtues.

“Dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi me raportime kritikuan anëtarët e qeverisë dhe aleatët e tyre”, thuhet në raport.

Fjala është për gazetarët Olluri e Kajtazi të cilët gjatë vitit 2017 kanë raportuar për afera të mëdha korrupsioni e krimi në të cilat protagonistë janë politikanë.

Olluri është sulmuar në gusht të vitit të kaluar në hyrje të banesës në Prishtinë nga tre persona tash për tash të panjohur. Askush nuk është arrestuar deri tash.

Ndërkaq, Kajtazi është sulmuar në tetor të vitit 2017 nga Fitim Thaqi, një person i lidhur me Milaim Zekën dhe PDK-në. Ai është arrestuar dhe dënuar me 4 muaj burgim me kusht. Rasti pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit pas ankesës së Prokurorisë së Shtetit.

“Reporterët pa kufij” gjithashtu raportojnë për ndasitë etnike nëpër media në Kosovë, derisa ka thënë se qeverinë Haradinaj e ka vlerësuar si pak më të mirë sesa qeveritë e kaluara sa i përket marrëdhënieve me mediat.

“Ndasitë etnike të Kosovës shihen nëpër media, në të cilat shqiptarët rrallë shihen duke punuar përkrah atyre serbë. Megjithatë, qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog”, thuhet në përshkrimin e Kosovës nga “Reporterët pa kufij”./Insajderi.com