Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se ka marrë konfirmimin për blerjen e vaksinave nga kompania amerikane ‘Pfizer’, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur ai me anë të një njoftimi në Facebook, ku ka kërkuar nga Qeveria aktuale të vazhdojë në mënyrë efikase finalizimin e pjesës së marrëveshjes për blerje, e cila siguron vaksinimin në masë të qytetarëve të Kosovës në luftimin e pandemisë.
“Duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët për angazhimin e sinqert, shpresoj se kjo do jetë arma më e forte, në luftimin përfundimtar të pandemisë Covid-19.
Njëherit, kërkova që Qeveria aktuale, të vazhdojë në mënyrë sa më efiakse, finalizimin e pjesës së marrëveshjes për blerje, e cila siguron vaksinim në masë të qytetarëve të Kosovës në luftimin e pandemisë globale Covid-19”, ka bërë të ditur ai derisa ka njoftuar për shkëmbimin e shkresave me këtë kompani.
Siç bëhet e ditur në letrën e tij të dërguar drejt kësaj kompanie, i është kërkuar që dokumenti t’i dërgohet ministrit të ri, Arben Vitia, derisa ka kërkuar nga pasardhësi i tij që të përcjellë vazhdimin e kontaktit për marrjen e vaksinave të shumëpritura.
Vetëm një ditë më parë, Zemaj njoftoi për komunikimin e tij të fundit me mekanizmin COVAX për sigurimin e 100 mijë e 620 vaksinave të Pfizer të cilat prtitet të vijnë në Kosovë në qershor të këtij viti.
Derisa më 28 mars ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave të Astra Zenecas në Kosovë me gjithsej 24 mijë doza të vaksinave.
Këto vaksina ndonëse të pakta në numër, do të shfrytëzohen për personelin shëndetësorë, për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Ndryshe, Kosova është vendi i fundit në rajon, i cili ka arritur të sigurojë vaksinat anti-COVID. Zotimi i parë i Qeverisë së kaluar ishte që dozat e para të arrijnë në mes të muajit shkurt, por që një gjë e tillë ndodhi pas një muaji e gjysmë. /Insajderi.com
Edhe një lajm i gëzueshëm për mua, dhe qytetarët e Kosovës, që pas shumë negociatash dhe shkëmbim të shkresave, vjen…
Posted by Armend Zemaj on Wednesday, March 31, 2021