Me vetëm tri raste nëpër gjykata të arbitrazhit, dy të përfunduara dhe një në proces, Kosova mund të humbë më shumë se 400 milionë euro, raporton KTV.
Dy nga gazetarët e mediave kosovare që janë marrë me çështjet e arbitrazhit hedhin dyshime të forta për lidhje të fuqishme mes biznesit dhe politikës, të cilët, përmes kontratave, kanë eliminuar gjykatat vendore.
Sipas Lavdim Hamitit, kjo është gjetur si mënyra më e mirë e zhvatjes së shtetit.
Nga ana tjetër, Parim Olluri, drejtor ekzekutiv i Gazetës “Insajderi” vlerëson se me apo pa qëllim, këto gabime janë bërë që para shumë viteve, përmes ligjit që i garantonte investimet e jashtme.
Por për të është e çuditshme pse e njëjta logjikë u përdor edhe në tenderin për pasaporta.
“Tek dhënia e tenderave është e palogjikshme me u cek si shkallë e parë arbitrazhi qysh ka ndodhë në rastin e kompanisë austriake kur ajo e ka fituar tenderin e pasaportave. Ministria e Punëve të Brendshme shumë lehtë ka mundur t’i thotë ofertuesit të parë se ne nuk pranojmë të shkojmë në arbitrazh edhe me cekë që në kuadër të Gjykatës Themelore, Departamenti për Krime Ekonomike si si vend i ankesave”, ka thënë Olluri.
Shtetit i kushtoi rreth 7 milionë euro humbja e arbitrazhit me kompaninë austriake në rastin e pasaportave, 30 milionë i humbi Telekomi i Kosovës në përballjen me ZMobile si dhe shumë miliona të tjerë rrezikon t’i humbë shteti nga padia që ka ushtruar kompania Axos në rastin e privatizimit të 75% të aksioneve të Telekomit.