Kosova në negociata konfidenciale për ta siguruar vaksinën, thotë Zemaj

Kosova në negociata konfidenciale për ta siguruar vaksinën, thotë Zemaj

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova është e angazhuar në sigurimin e dozave të nevojshme të vaksinës kundër COVID-19, porse për momentin gjithçka duhet të mbetet konfidenciale, njofton Insajderi.

Zemaj u pyet saktësisht për dy kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, vaksinat të së cilave janë miratuar për përdorim dhe ka nisur administrimi i tyre në disa shtete të botës.

“Jemi të angazhuar që sa më shpejt ta sigurojmë vaksinën. Kemi edhe raporte që të ruajmë edhe korrektësinë, atë që ne e quajmë edhe konfidenciale, që hyjmë në ndonjë kontratë eventuale”, tha Zemaj, në një konferencë për media këtë të hënë.

Ai është pyetur se përse duhet çështja e vaksinës të jetë konfidenciale, por nuk ka komentuar shumë. Ka thënë se janë ata – ai dhe qeveria – që kanë vendosur kështu.

Çfarë është e rëndësishme, shtoi Zemaj, është që “qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet vaksina sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase”./Insajderi.com