“Kosova nuk do ta lejojë kurrë kryeministren e Serbisë të futet në Kosovë”

“Kosova nuk do ta lejojë kurrë kryeministren e Serbisë të futet në Kosovë”

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nuk do t’ia lejoj asnjëherë hyrjen në Kosovë kryeministres serbe, Ana Brnabiq.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli, në një status në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se MPJ në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, kryeministres së Serbisë Ana Brnabic kurrë nuk do t’ia lejojë hyrjen në Kosovë për shkak të deklaratave të saj raciste dhe ofenduese ndaj 2 milionë qytetarëve të Kosovës.

” Ministria e Jashtme e Kosovës e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Pacolli, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, Kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq kurrë nuk do t’ia lejojë hyrjen në Kosovë për shkak të deklaratave të sajs raciste dhe ofenduese ndaj 2 milionë qytetarëve të Kosovës.

Ajo nuk ka qenë në gjendje dhe s’ka pasur vullnet të merret me të kaluarën e Serbisë dhe krimet e luftës të kryera nga Beogradi në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Ajo përfaqëson një qeveri që vepron në mënyrën më të pa-civilizuar në Evropë, që mohon krimet më çnjerëzore që ka parë bota pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar në Facebook, Zyberaj.

Ndryshe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, gjatë një konference për shtyp në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, ka lëshuar një fyerje të rëndë në drejtim të liderëve të Kosovës, duke thënë se “janë njerëz të dalë nga mali”.

Siç është raportuar në media, këtë deklaratë, kryeministrja serbe e ka dhënë në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, gjatë një konference ku ishte folur edhe për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.