Kosova nuk e kursen buxhetin për Ushtrinë

Kosova nuk e kursen buxhetin për Ushtrinë

Buxheti aktual, konsiderohet i mjaftueshëm për fillimin e procesit të transformimit të Forcës se Sigurisë se Kosovës në një forcë ushtarake.

Kuvendi i Kosovës të premten ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë ushtarake, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Transformimi i FSK-së pritet të kalojë nëpër disa faza dhe të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është paparë që të ketë ngritje graduale të buxhetit të FSK-së.

“Do të thotë është planifikuar që në proporcion me fuqinë ekonomike të vendit, të shtohen edhe financat për Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision të ri. Buxheti aktual për vitin 2018 është 53 milionë euro dhe është paraparë që për çdo vit të shtohen nga 5 milionë euro. Për vitin 2019, do të jetë 58 milion euro. Për vitin 2020 – 61 milionë, kurse për vitin 2021 buxheti do të jetë 66 milionë euro. Do të thotë është një ngritje graduale prej 5 milionë eurosh në vit”.

“Mirëpo, ky plan nuk mund të jetë fleksibil, varësisht nga rrethanat e sigurisë në vend dhe rajon dhe sigurisht që shteti, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në do të ketë prioritet në rrethana të caktuara”, bën të ditur Shala.

Pavarësisht kostos, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, tashme kanë deklaruar se ka bazë të mjaftueshme financiare për të ecur tutje me transformimin e FSK-së. Sipas tyre, brenda 10 vjetësh, sa është paraparë të marrë kohë ky proces, nga buxheti i Kosovës do të arrihet të sigurohen mjetet financiare.

Edhe Plator Avdiu, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë për bazë buxhetin e Kosovës, shuma e ndarë për Ushtrinë e Kosovës është e mjaftueshme.

Ai thotë se FSK- ja mund të marrë mjete shtesë edhe nga shtete anëtare të NATO-s, konkretisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera që janë shprehur në favor të ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Duke marrë parasysh se mandati i ri i FSK-së do të jetë ndërtim i kapaciteteve mbrojtëse dhe jo ndërtim i kapaciteteve ofensive ose sulmuese, rritja e buxhetit për çdo vit nga 5 milionë nuk do të thotë se do të mbetet gjithmonë i njëjtë për shkak se kjo shifër, me rritjen progresive të buxhetit të Kosovës mund të rritet edhe përqindja e buxhetit për FSK-në. Kështu që nuk mendoj se kjo mund të paraqesë ndonjë problem shumë të madh”, thotë Avdiu.

Forca e Sigurisë së Kosovës apo Ushtria e Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. Ibrahim Shala thotë se varësisht nga zhvillimi dhe buxheti, Ushtria e Kosovës do të pajiset edhe me armatim.

Forca e Sigurisë së Kosovës, javën e kaluar është pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FSK-ja apo Ushtria e Kosovës, në vitet vijuese, do të pajiset më gjithë armatimin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm për t’i kryer detyrat që dalin nga misioni i ri, ka thënë më herët në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kadri Kastrati ish-komandant i FSK-së.

“Kalibri më i madh që është paraparë për Ushtrinë e Kosovës, do të jenë topat deri në 105 milimetra, minahedhës deri 120 milimetra, mbrojtje kundërajrore, helikopterë dhe të gjithë armatimin nën këtë kalibër”, ka thënë Kastrati.