Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova assesi nuk duhet të diskutojë për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh me Serbinë.
Në një intervistë për Kosovapress, ai megjithatë ka deklaruar se e mirëpret rinisjen e dialogut me Serbinë, megjithatë thekson se “Kosova nuk guxon të diskutojë për shkëmbim territoresh”, transmeton Insajderi.
“Kosova nuk guxon me shkua në tavolinë pa e shpjeguar qartë se nuk merr pjesë në një tavolinë ku bisedohet territori, kufijtë ose rendi kushtetues i yni.Mos të shkojmë të hapur që të diskutohet çdo temë, Kosova nuk e ka atë luks me e diskutuar çdo temë”, deklaron Haradinaj.
Ai nuk e ka komentuar dilemën se cilit institucion i takon ta udhëheqë dialogun, Presidentit apo Kryeministrit. Por thotë se Kosova i ka qartë të përcaktuara me Kushtetutë, kompetencat e të dyja institucioneve.
“Kushtetuta i ka paraparë përgjegjësitë e të gjitha institucioneve. Ato të presidentit, kryeministrit të të gjithëve. Nga ana e ime si Aleancë dëshirojmë me përkrahë Kosovën që sa më fuqishëm përballë Serbisë”, ka shtuar tutje Haradinaj. /Insajderi.com