Kosova paditë Malin e Zi – kërkohet kthimi i 4.500 metrave katrorë

Kosova paditë Malin e Zi – kërkohet kthimi i 4.500 metrave katrorë

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paditur Komunën e Budvës në Mal të Zi dhe kompaninë ‘Sunraf Beach Properties’, duke iu kërkuar kthimin e rreth katër mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren Rafailoviq, që dikur ishte vendpushimore për fëmijë, transmeton Insajderi.

Në këtë padi thuhet se pushimorja me emrin “Ganimete Tërbeshi” ishte blerë gjashtë dekada më parë.

Padia për përcaktimin e të drejtës pronësore në të cilën thuhet se ka qasje e përditshmja malazeze ‘Vjesti’, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Sipas ‘Vjestit’, ministria ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit të lëshojë një masë të përkohshme që ndalon hedhjen dhe tjetërsimin e tokës deri në përfundimin e kësaj lënde në gjykatë.

Në këtë parcelë është duke u ndërtuar një kompleks shumëkatësh.

Padia thotë se Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut në Kotorr, ku parcelën prej katër mijë e 555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale, të ish krahinës autonome të Kosovës.

Por komuna e Budvës e ka kundërshtuar këtë padi duke kërkuar hedhjen e kësaj padie nga gjykata.

Siç bëhet e ditur në artikull, Qeveria e Kosovës po kërkon kthimin e 172 pronave në ish-republikat e Jugosllavisë, në nga të cilat të paktën 42 prej tyre gjenden në Mal të Zi. /Insajderi.com