Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka marrë vendim që t’i pezullojë të gjitha linjat ajrore të fluturimit në Aeroportin “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Kosovë dhe anasjelltas, njofton Insajderi.
Ky vendim është marrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, MSH-ja ka njoftuar se të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetizolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
“Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në komunikatë.
Për të gjithë personat fizikë dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, teksa krijimi i vaksinave efektive anti-COVID po ofron shpresë për një rrugëdalje nga pandemia, zyrtarët në Britani e ndezën alarmin urgjent për atë që ata e quajtën një variant të ri ngjitës të koronavirusit që po qarkullon në Angli. Duke përmendur përhapjen e shpejtë të virusit nëpër Londër dhe zonat përreth, kryeministri Boris Johnson vendosi bllokimin më të rreptë të vendit që nga marsi. /Insajderi.com