“Kosova po eksporton para të gatshme në Shqipëri”

“Kosova po eksporton para të gatshme në Shqipëri”

“Kosova po eksporton para të gatshme në Shqipëri nga pushuesit kosovarë që po kalojnë vikendet në bregdetin shqiptar, pas masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës”.

Kështu ka thënë për Gazetën Online Insajderi, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili deklaron se është bërë “trend i imponuar” kalimi i vikendeve në bregdet.

Sipas tij, kjo po ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës.

“Një shtet i varfër siç është Kosova është duke eksportuar me të madhe para të gatshme në bregdetin shqiptar, i cili është duke ndikuar në buxhetin e Kosovës, e në veçanti duke e prekur sektorin e gastronomisë”, ka thënë ai.

Vetëm gjatë dhjetë ditëve të para të muajit maj, 110 mijë e 186 persona kanë kaluar kufirin me Shqipërinë dhe katër mijë e 914 të tjerë atë të Malit të Zi.

Këto të dhëna, redaksia i ka siguruar nga Policia e Kosovës e cila thotë se ”konform vendimit të qeverisë, çdo qytetarë që vjen nga vendet me risk është i obliguar që të posedojë testin PCR negativ për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Njohësi i ekonomisë, Gërxhaliu, ka deklaruar se ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës që mbyllja nuk është zgjidhje, dhe sipas tij, kjo e fundit po analizon vetëm në këndin shëndetësor, duke e dëmtuar ekonominë.

“Është e vërtetë që kemi alarmuar Qeverinë e Kosovës që mbyllja nuk është zgjidhje. Duhet të jetë distanca, përgjegjësimi, por mbyllja e dëmton shumë ekonominë e Kosovës. Për fat të keq në vendin tonë analizohen vetëm nga këndi shëndetësor, por kjo mbyllje ndikon në aspektin ekonomik, social dhe mbi të gjitha në atë emocional”, ka pohuar Gërxhaliu.

Tutje, ai ka thënë se Kosova duhet të reflektojë me trendin evropian, pasi që këto vende kanë filluar hapjen dhe se vaksinimin e sheh si mekanizmin kyç në lirimin e masave.

Gërxhaliu, gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që sa ma shpejtë ta bëjë kompensimin e sektorëve që kanë qenë të dëmtuar nga pandemia.

Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Insajderin, thotë se presin takim nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për rishqyrtimin e masave.

“Ka ardhur koha për rishikim të masave të vendosura nga Qeveria, gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë. Kryetarët e komunave janë për lehtësimin e tyre”, ka theksuar Ibrahimi.

Ai ka pohuar së nga ministri Vitia do të kërkojnë largimin e orës policore, që, sipas tij, nuk ka treguar ndonjë rezultat.

Kryetari i këtij asociacioni ka shtuar se ardhja e diasporës do të ndikojë pozitivisht në Kosovës, e që thotë se ata janë “infuzion” për ekonominë kosovare.

“Shpresojmë tani që më përmirësimin e motit edhe masat mund të liberalizohen, sepse jemi duke e pritur edhe ardhjen e diasporës në mënyrë që t’i jap një infuzion ekonomisë lokale”, ka thënë Ibrahimi.

Se lehtësimi i masave në vendet evropiane ka ndikuar në ardhjen e diasporës kosovare, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara.

Ajo ka thënë se që nga java e kaluar, kur Zvicra ka hequr Kosovën nga lista e vendeve me rrezik të lartë nga COVID-19 dhe karantina e detyrueshme, në ANP “Adem Jashari” janë shtuar rreth 40 fluturime gjatë muajit maj.

“Ndërsa nëse i referohemi fluturimeve deri me datën 13 (festa e Fitër Bajramit) janë shtuar rreth 16 fluturime, dy prej të cilave janë nga Gjermania”, ka thënë Gara.

Në Kosovë vazhdojnë të mbesin në fuqi masat e vendosura nga Qeveria, e cila ka ndaluar veprimtarinë pas orës 22:00, si dhe lëvizjen e qytetarëve nga ora 22:30 e mbrëmjes deri në orën 05:00 të mëngjesit. /Insajderi.com