
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie në shenjë respekti pas vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish kryeministër i Kosovës, ish ministër i Punëve të Brendshme, ish deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg”, thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi.
Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Trupi i pajetë i Bajram Rexhepit ka arritur në Kosovë gjatë orëve të para të ditës së sotme. Pjesëtarët e FSK-së kanë dalë në aeroport për ta pritur atë.
Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti.
Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë për t’u transferuar më pas në Turqi.
Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004.