Kosovarët janë pak të prekur nga sëmundja e sidës

Kosovarët janë pak të prekur nga sëmundja e sidës

HIV është virus i mungesës së imunitetit të njeriut, që shkakton AIDS-in. HIV dëmton sistemin imunitar dhe shkatërron qelizat e bardha të gjakut që luftojnë infeksionin.

Viktimë e këtij virusi kanë mbetur mbi 25 milionë njerëz në mbarë botën por ndryshe nga atje, në Kosovë numri i të prekurve me HIV/AIDS është shumë i vogël.

Gjatë vitit 2017 në Kosovë janë lajmëruar vetëm 2 raste me HIV/AIDS duke hyrë në grupin e vendeve me prevalencën më të ulët, me më pak se 0.1 %. Kështu thanë për Indeksonline, zyrtarë nga Zyra për Informim pranë Ministrisë të Shëndetësisë.

Sipas tyre prej vitit 1986 kur është paraqitur për herë të parë si sëmundje në Kosovë e deri më tash janë 113 raste me HIV dhe ADIS në Kosovë. Prej tyre viktima të këtij virusi kanë mbetur 46 persona kurse gjatë vitit 2017 janë diagnostifikuar vetëm 2 raste me HIV/ADIS, të dyja i takojnë gjinisë mashkullore dhe grup moshës 25-49 vjeçare.

“Duke ju referuar të dhënave të IKSHPK prej vitit 1986 – 2016 janë regjistruar gjithsej 113 raste me HIV dhe AIDS me 46 të vdekur. Ndërsa gjatë vitit 2017  në IKShPK  janë  raportuar  2 raste me HIV /AIDS . Të dy rastet janë të gjinisë mashkullore dhe i takojnë grup-moshës 25-49 vjeçare” thuhet në përgjigjen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë si institucion ka marrë veprime konkrete duke iu ofruar shërbime profesionale të prekurve nga ky virus, është potencuar në përgjigjen e tyre.

“Ministria e Shëndetësisë  mbulon shpenzimet për terapi Anti Retrovirale (ARV). Prokurimi i terapisë (ARV) realizohet përmes UNICEF-it. MSH siguron materialin harxhues për realizimin e testeve që ndihmojnë njohjen e statusit imunologjik të pacientëve  me HIV dhe AIDS si dhe sasinë e virusit  në qarkullim të gjakut  që janë në terapi dhe ndihmon infektologët në monitorimin e gjendjes së tyre.  Ministria e Shëndetësisë nga viti 2017 ka filluar t’i mbuloj shpenzimet për  Terapinë Mbajtëse  me Metadon ky shërbim ofrohet në 5 qendra të licencuara  në Kosovë.” thanë ata.

HIV/AIDS po vazhdon që të jetë një problem i madh për shëndetin publik, i cili merr jetën e miliona njerëzve në tërë botën. HIV mund të transmetohet ndërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit,sperma dhe sekrecionet vaginale.