Kosovarët u furnizuan mirë me hurma për Ramazan – për 4 muaj u importuan 300 mijë kg

Kosovarët u furnizuan mirë me hurma për Ramazan – për 4 muaj u importuan 300 mijë kg

Kosovarët po del të jenë fort dorëlirë në muajin e Ramazanit. Vetëm që të kenë në tryezat e tyre ushqimet të cilat tradicionalisht hahen për iftar, ata shpenzojnë me miliona euro. Vetëm për të blerë hurma, ata harxhojnë çdo vit rreth 1 milionë euro. Ndërkohë, për importin e ëmbëlsirave në përgjithësi, ata kanë shpenzuar rreth 30 milionë euro në tri vitet e fundit.

Gjatë 30 ditëve të muajit të ramazanit, pothuajse asnjë familje myslimane nuk ulet në sofër për të bërë iftar pa pasur edhe hurma. Ky është ushqimi i parë që hahet për të përfunduar agjërimin tradicionalisht.

E ky frut nuk mungon as në tryezat e kosovarëve. Madje, vetëm që ta kenë nëpër sofrat e tyre gjatë iftarit, ata shpenzojnë me miliona euro për çdo vit.

Vetëm në katër muaj e parë të këtij viti, në vend kanë hyrë rreth 300 mijë kilogramë hurma për të cilave janë shpenzuar më shumë se 400 mijë euro.

Gjithë kjo sipas statistikave për importin e ëmbëlsirave në përgjithësi që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës, kosovarët kanë shpenzuar rreth 2 milionë e 500 mijë euro vetëm për të blerë hurma në tri vitet e fundit.

Por, përveç për hurma, me mijëra euro janë shpenzuar edhe për importin e çokollatës së bardhë, karameleve e ëmbëlsirave të tjera.

Për importin e gjithë këtyre produkteve vetëm këtë vit janë shpenzuar rreth 3 milionë euro. Ndërkohë, shuma e parave të cilat janë derdhur vetëm për të blerë këto produkte në tri vitet e fundit shkon në rreth 30 milionë euro.

E pavarësisht se disa prej këtyre produkteve prodhohen edhe në vendin tonë, kosovarët duket se i kanë më shumë ne qejf ato që vijnë nga shtetet e tjera.

Vendet prej të cilave importohen më së shumti këto produkte janë Turqia, Maqedonia, Austria, Gjermania, Italia dhe Kroacia. Por, jo vetëm.

Të tjera shtet prej të cilave kosovarët zgjedhin që t’i blejnë ëmbëlsirat janë edhe Irani , Arabia Saudite, Polonia, Rumania, Tunezia, Emiratatet e Bashkuara Arabe, Kuvajti.

Ndryshe, hurma është një pemë e viseve të ngrohta. Pema që prodhon këtë frutë të sheqerosur vjen nga Japonia dhe Kina. Në mjekësinë tradicionale kineze, hurmat janë përdorur për të trajtuar probleme të tilla siç ishin astma, infeksionet e mushkërive, hemorroidet, diarre dhe shumë të tjerë.

Përfitimet më të rëndësishme shëndetësore te hurmës janë vetitë e saj antikancerore në përmbajtje të lartë të beta karotenit dhe vitaminës A.

Ky frut mund të ulë rrezikun e kancerit të mushkërive dhe është e rekomandueshme që të konsumohet nga duhanpirësit kronike. Duke qenë një burim i shkëlqyer i hekur, hurmat mund të jenë shumë të dobishme për njerëzit që vuajnë nga anemia.