Kosovari dhe malazezi dyshohen për trafikim të familjes nga Serbia

Kosovari dhe malazezi dyshohen për trafikim të familjes nga Serbia

Rreth orës 2 të pas mesnatës së mbrëmshme Policia Federale ka ndaluar një makinë që po hynte në Gjermani nga Holanda.

Në makinë ishin gjashtë persona.

Gjatë kontrollimit të mëtejmë u konstatua se dy prej personave ishin me dokumente të rregullta, një shofer 27 vjeçar nga Mali i Zi dhe personi që rrinte ulur në uklësen e përparme pranë tij, një shtetas kosovar i moshës 31 vjeçare, shkruan dpa.de.

Katër të tjerët që ndodheshin në veturë ishin shtetas të Serbisë, të moshave 20 deri 54 vjeçare, tre burra dhe një grua. Ata nuk kishin me vete dokumente valide, transmeton albinfo.ch.

Nga hetimet fillestare u mor vesh se katër shtetasit e Serbisë kishin kërkuar më parë azil në Francë dhe pastaj në Holandë, por pa sukses.

Ndaj tyre është inicuar një procedurë hetimore lidhur me dyshimin për hyrje të palejuar në Gjermani. Pasi që familja me shtetësi serbe ka kërkuar azil, përgjegjësia për trajtimin e saj të mëtejshëm i takon Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ndërsa ndaj malazezit dhe kosovarit pritet ngritja e procedurës hetimore lidhur me dyshimin për kontrabandim të të huajve.