Kosovari në Zvicër që vrau për gjakmarrje me 17 plumba në kokë – merret vendimi përfundimtar

Shpend Shala një shtetas nga Kosova është dënuar me 18 vjet burg në Zvicër për një vrasje me motive “gjakmarrëse”, në maj të vitit 1997. Mirëpo ai ka akuzuar Gjykatën e Rrethit të Laufenburgut në Zvicër se gjykimi ndaj tij ishte bërë në mënyrë jo të drejtë. Rasti i tij ka shkuar deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila sot ka dal kundër ankesave të Shalës.

Kosovari në Zvicër që vrau për gjakmarrje me 17 plumba në kokë – merret vendimi përfundimtar

Një vrasje me mbi 15 plumba mbi kokën e një viktime kishte ndodhur në shtetin e Zvicrës nga i akuzuari Shpend Shala, shkruan Gazeta Insajderi.

Kjo vrasje kishte ndodhur për motive gjakmarrëse.

Ngjarja kishte filluar në Kosovë. Kryefamiljari i familjes Shala u ekzekutua në Kosovë nga një anëtar i familjes H.Muaji, ku më pas vëllai i H.Muaji u gjend i vrarë në Zvicër. Për vrasjen e tij akuzohen Shpend Shala dhe djali i xhaxhait të tij.

Gjykata e Rrethit Laufenburg në Zvicër, në janar të vitit 2001, gjykoi gjashtë anëtar të familjes Shala, duke përfshirë babanë, xhaxhain  dhe djalin e xhaxhait të Shpend Shalës dhe në nëntor të vitit 2010, ai u dënua për vrasje me 18 vjet burgim.

Gjykata e Rrethit të Laufenburgut  kishte arritur në përfundim se Shala dhe kushëriri i tij kishin gjuajtur 15 deri në 17 të shtëna në kokën e viktimës, ndërkohë që po përpiqeshin të arratisen, shkruan Insajderi.

Për këto vendime të Gjykatës, Shala kishte parashtruar edhe ankesa. Me ç’rast të gjitha ankesat e tij u refuzuan.

Shala pretendonte para gjykatës se kishte pasur shkelje të nenit 36 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Ai kishte thënë se babai i tij, xhaxhai i tij dhe djali i xhaxhait të tij, nuk ishin informuar para Gjykatës së Rrethit për të drejtat e tyre për asistencë konsullore.

Mirëpo në vendimin e saj, gjykata më e lartë kishte theksuar se babai i Shalës ishte informuar për të drejtat e tij, për ndihmën e një avokati dhe një përkthyesi.

Gjykata e Lartë Federale në Zvicër në prill të 2012 kishte transferuar Shalën në Kosovë, ku po vuan dënimin e tij.

Ankesat dhe refuzimet e Gjykatës

Rasti i Shalës kishte shkuar deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, më 28 shtator të vitit 2012. Duke u mbështetur në nenin 6 dhe 1, Shala kishte parashtruar tri ankesa.

Së pari, ai u ankua se nuk ishte në gjendje të shtonte pyetje shtesë për xhaxhain dhe djalin e tij. Së dyti, ai pohoi se deklaratat e babait të tij në një seancë në korrik të vitit 1998 nuk mund të përdoreshin, pasi që babai i tij i kishte bërë këto pa ndihmën e një avokati dhe një përkthyesi.

Së treti, Shala u ankua se autoritetet zvicerane nuk e kishin njoftuar të atin, xhaxhain dhe djalin e xhaxhait të tij, për të drejtën për ndihmë konsullore sipas nenit 36 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Gjykata kishte hedhur poshtë dy ankesat e para të Shalës si të pabazuara. Për ankesën e parë gjykata kishte vënë në dukje se Gjykata Supreme Federale i kishte deklaruar këto ankesa të papranueshme me arsyetimin se “arsyetimi mbështetës ishte i pamjaftueshëm”.

Gjykata e Lartë Federale kishte konsideruar së pari se Shala nuk kishte treguar se në çfarë mase të drejtat procedurale të garantuara me Kushtetutën e Zvicrës dhe Konventës ishin shkelur.

Së dyti, në deklaratën e Gjykatës thuhet se deklaratat e xhaxhait të Shalës dhe djalit të xhaxhait të tij nuk ishin provat e vetme kundër tij.

Dhe së treti, gjykata vuri në dukje se babai i Shalës ishte informuar për të drejtën e tij për ndihmë nga një avokat dhe një përkthyes që nga fillimi i procedimeve të ngritura kundër tij dhe se ai i kishte hequr dorë shprehimisht ndaj këtyre të drejtave.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur sot kërkesat e kosovarit Shpend Shala të papranueshme, duke i konsideruar si të pabaza. Ky vendim është përfundimtar, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Në komunikatën e sotëm të Gjykatës tregohet për rastin e Shalës, i cili është akuzuar për veprën penale nga gjykata zvicerane për vrasje në emër të gjakmarrjes.

Shala kishte ngritur disa ankesa në bazë të nenit 6 të Konventës për të Drejtat për gjykim të drejtë, ku ai kritikonte autoritetet zvicerane, në veçanti, se nuk u informuan tre dëshmitarët, shtetas kosovarë, për të drejtën e tyre për ndihmë konsullore sipas nenit 36 të Konventës së Vjenës, ku kishte deklaruar se deklaratat nga këta dëshmitar nuk mund të përdoreshin kundër tij.

Gjykata, ndër të tjera kishte theksuar se Shala nuk kishte dhënë fakte të arsyeshme dhe të mjaftueshme që autoritetet zvicerane nuk iu kishin dhënë asistencë konsullore tre dëshmitarëve.

Për të gjitha këto pretendime Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur kundër Shpend Shalës. /Insajderi.com