Kosovë – ende në shqyrtim, mjekimi i pacientëve me gjakun e të shëruarve

Kosovë – ende në shqyrtim, mjekimi i pacientëve me gjakun e të shëruarve

Kosova ende po e shqyrton mundësinë e trajtimit të pacientëve të infektuar me Coronavirus, me plazmën e gjakut të personave që tashmë e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, thonë zyrtarë të qeverisë.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se çështja e mundësisë së mjekimit të pacientëve me gjakun e të shëruarve është duke u shqyrtuar.

Por, sipas tij, ministria paraprakisht duhet të marrë vendim për të lejuar përdorimin e këtij mjekimi, njëherësh të miratohet protokolli i përdorimit të plazmës së gjakut të personave të shëruar.

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në transfuzionin e gjakut.

Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, tha për Radion Evropa e Lirë, “se jemi në procedura të shqyrtimit të mundësisë për përdorimin e plazmës së gjakut (plazma konvulsive), si ilaç hulumtues”.

Ajo tregon se fillimisht duhet të lejohen proceduratpastaj të grumbullohet plazma konvulsive, dhe në këtë drejtim, thotë Zhubi, është duke u punuar.

Edhe pse ende nuk është filluar me gjetjen e donatorëve potencialë, Faik Hoti, shpreson se do gjenden persona të shëruar, pasi numri i tyre ka kaluar mbi 8,000.

Metoda e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së. Disa infektologë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pohojnë se janë të gatshëm për një procedurë të tillë nëse merret vendim nga autoritetet kompetente.

Infektologu, Shemsedin Dreshaj, thotë se janë të përgatitur për përdorimin e plazmës se donatorëve dhe nuk ka asnjë problem për këtë çështje.

Dreshaj ndërkaq shprehet se metoda e mjekimit të pacientëve të infektuar me koronavirus, me plazmën e gjakut të personave që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, duhet të rezultojë me sukses.

“Derisa është aprovuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA si procedurë për trajtimin e pacientëve të sëmurë më COVID-19, unë mendoj se kjo do të jetë e mundur që të implementohet pa asnjë problem, nëse kapacitetet teknike dhe profesionale të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, të vijojnë një gjë të tillë”, thekson Dreshaj.

Disa shtete tanimë kanë filluar aplikimin e kësaj metode. Kjo metodë përdoret në Turqi, por edhe në disa vende në rajon. Këtë metodë po e zbaton Serbia dhe është paralajmëruar se do të nisë së zbatuari edhe në Kroaci.