Kosovë-Greqi, mbahet forumi i tretë ekonomik fokusi në sektorine energjisë

Kosovë-Greqi, mbahet forumi i tretë ekonomik fokusi në sektorine energjisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës dhe ajo e Greqisë, kanë mbajtur forumin e tretë ekonomik në formë virtuale të marten e 20 prillit, ku në fokus ishte sektori i energjisë, njofton Insajderi.

Përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve nga Kosova dhe Greqia, ishin pjesë e forumit me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, si dhe forcimin e lidhjeve biznesore të kompanive kosovare dhe greke.

Diskutimet dhe prezantimet e zhvilluara përgjatë këtij forumi kanë pasur si pikë qendrore tregun energjetik të Kosovës dhe Greqisë, dhe në përgjithësi rrjedhat zhvillimore në ketë treg në Ballkan.

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar forumin si një investim të veçantë në marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

“Teksa nxisim bashkëpunimin, ne jemi gjithashtu të hapur dhe të gatshëm për të krijuar marrëdhënie të reja në fusha të tjera si shkenca, sporti, kultura, etj.”, ka deklaruar Gërvalla.

Në forum bënin pjesë edhe zëvendësministri i Jashtëm grek për Diplomaci Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut.

Në forum kanë prezantuar dhe disa kompani kosovare të sektorit të energjisë si dhe janë zhvilluar diskutime me kompani greke rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në këtë treg.

Forum ky i treti me radhë i cili është organizuar me iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, si dhe me koordinimin e Zyrës Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës në Athinë dhe me bashkëpunimin e Odës Ekonomike të Kosovës OEK dhe Odës Ekonomike dhe Industriale të Pireut në Athinë.  /Insajderi.com