Kosovës iu dhuruan 50 respiratorë donacion nga SHBA dhe USAID

Kosovës iu dhuruan 50 respiratorë donacion nga SHBA dhe USAID

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i kanë dhuruar Kosovës 50 respiratorë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar SHBA-të dhe USAID-in për këtë destinacion.

Zemaj është shprehur se kjo është një ndihmë e çmueshme në luftën kundër COVID-19.

“Kosovës iu dhurua donacioni prej 50 ventilatorësh/respiratorësh nga Ambasada e SHBA-ve dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Kjo një ndihmë shumë e çmueshme në luftën kundër COVID-19. Javë më parë kemi nënshkruar Marrëveshjen me USAID-in për këtë donacion”, ka shkruar Zemaj.

Ministri po ashtu ka përmendur edhe donacionin e Ambasadës Amerikanë ditë më parë, që kishte të bënte me pajisje mbrojtëse dhe profesionale për stafin shëndetësorë.

“Para pak ditësh Ambasada Amerikane gjithashtu dhuroi donacionin me pajisje mbrojtëse profesionale për personelin shëndetësor nga Programi i Ndihmës Humanitare i Komandës Evropiane të SHBA. Këto janë kontribute të përkujdesit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes misioneve të saja civile dhe ushtarake i kanë ofruar në vazhdimësi sistemit tonë shëndetësor. Në këtë kohë kur të gjithë popujt e botës po ballafaqohen me sfidën e pandemisë, solidariteti mes popujve dhe asistenca ndaj njëri tjetrit ka rëndësi të madhe, në veçanti kur popujt dhe shtetet e mëdha u zgjasin dorën e mbështetjeve shteteve më të vogla dhe me kapacitetet më të kufizuara. Faleminderit Ambasadës së SHBA-ve! Faleminderit USAID! Faleminderit taksapaguesve amerikanë! Mbani maska! Lani duart! Ruani distancën sociale!”, ka shkruar Zemaj. /Insajderi.com