Kotësia e Agjencisë Kundër Korrupsion

Agjencia Kundër Korrupsion vetëm emrin e ka të tillë. Në këtë dekadë të funksionimit të saj, Agjencia ka qenë e ngathtë, jo profesionale dhe pa ndikim në luftimin e korrupsionit.

Krijimi i Agjencisë është pritur me entuziazëm. Deklarimet e pasurisë kanë shërbyer si formë argëtimi mediatik për atë se cili zyrtar publik është më i pasuri. Por në realitet, formularët e deklarimit të pasurisë nuk kanë ndikuar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Shumë zyrtarë publik kanë manipuluar me vlerën monetare të pasurisë së tyre të paluajtshme. Absurdin e vetë-deklarimit të pasurisë pa asnjë kontroll e ka shpërfaqur më së miri Visar Arifaj i njohur si “Kryetari Legjendar”.

Në deklarimin e pasurisë për 2014, Arifaj i kishte vënë vlerë një miliard eurosh pikturës së tij të fëmijërisë. Sipas Agjencisë, ai është politikani më i pasur kosovar. Më i pasur se sa Behxhet Pacolli, Ramiz Kelmendi, Hashim Deshishku e shumë biznesmenë të tjerë të cilët mbahen si biznesmen të suksesshëm në Kosovë. Duke pranuar këta formularë si të mirëqenë, pa ndërmarrë asnjë hetim, Agjencia i ka legjitimuar pasurinë shumë politikanëve.

Përveç absurdit të vetë vlerësimit të pasurisë, Agjencia ka amnistuar shumë zyrtarë publik të cilët nuk kanë marr mundin madje që të plotësojnë të dhënat bazike për të hyrat monetare dhe pasurinë e familjarëve të tyre. Janë së paku 400 zyrtarë publik të cilët nuk kanë ofruar as të dhënat më bazike. Kjo është mbi 10% e të gjitha deklarimeve të pasurisë. Agjencia i ka ngarkuar në uebfaqe të gjithë këta formularë gjysmakë.

Janë me qindra të tjerë të cilët nuk kanë respektuar në përpikëri kërkesat për plotësim të formularëve. Me përjashtim të zyrtarëve të Presidences, shumica e zyrtarëve publik nuk kanë deklaruar të hyrat nga mëditjet. E shumë e shumë të tjerë kanë ngatërruar (me ose pa qëllim) deklarimin neto dhe bruto të të hyrave.

Përkundër asaj se ligji është fleksibil sa i përket asaj se çfarë mund të përfshihet për deklarim në formularë, Agjencia nuk ka pranuar asnjë herë që të përfshij në formularë edhe kursimet në Trustin Pensional, diçka që do të kishte përshkruar mjaft mirë historikun e të hyrave të secilit zyrtar publik.

Përkundër asaj se Agjencia ka referuar me qindra raste në prokurori, shumica e të akuzuarve kanë shpëtuar pa asnjë dënim nga ana e gjykatave. Ka raste kur vetë zyrtarët e Agjencisë nuk kanë mbrojtur qëndrimin e Agjencisë në procese gjyqësore, përkundër asaj se vetë i kanë ngritur akuzat.

Andaj, Agjencia duhet reformuar rrënjësisht, me qëllim që të meritoj emrin dhe funksionet për të cilat është themeluar një dekadë më parë.

Formularët e deklarimit të pasurisë duhet të përfshijnë edhe deklarimet e kursimeve pensionale. Agjencia nuk duhet të publikoj asnjë formular i cili nuk është plotësuar si duhet. Ligji kundër korrupsion duhet të ndryshohet në atë mënyrë që e prezanton Agjencinë si shkallë të parë të vendosjes së dënimeve për të gjithë ata zyrtarë publik që neglizhojnë formularët e deklarimit të pasurisë.

Po ashtu, Agjencia duhet të krijoj një sistem të përafërt të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, në një formë të atillë si vlerësohet nga bankat komerciale, duke iu shmangur “paushallit” të vetë-deklarimit.

Të dhënat e Agjencisë duhet të ndërlidhen me databazën e Ministrisë së Financave për pagat dhe mëditjet për zyrtarët publik, databazën e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, dhe të dhënat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Në këtë formë, do të ishte shumë më lehtë verifikimi i vërtetësisë së të dhënave të deklaruara.

Agjencia duhet të rris bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Një gjë e tillë ka munguar deri më tani. Fyerjet që kreu i Agjencionit i bëri ditë më parë në drejtim të një organizate që merret me anti-korrupsion, dëshmojnë logjikën barrikaduese dhe paranoike të kreut të këtij Agjencioni.

Korrupsioni është një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve. Matjet e opinionit kanë treguar rritje të rasteve korruptive. Reformimi i Agjencisë dhe rritja e efikasitetit të saj do të kontribuonin në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Përndryshe, ky agjencion nuk e meriton emrin që e mban dhe taksat që i shpenzon.