KPK konfirmon kandidaturat e gjashtë kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

KPK konfirmon kandidaturat e gjashtë kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se gjashtë kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pas hapjes së aplikacioneve dhe vlerësimit të materialeve të pranuara, i plotësojnë kushtet formale për t’i hyrë garës për këtë pozitë.

Sipas njoftimit nga KPK, më 4 shkurt 2022, kanë aplikuar Arben Ismajli, prokuror në Prokurorinë e Apelit, Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Lulzim Sylejmani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo listë, sipas Jetish Malokut, kryesues i KPK-së, do t’i dërgohet Këshillit në javët në vazhdim për aprovimin final dhe më pas e njëjta edhe do të publikohet.

Ilustrim

KPK në takimin e mbajtur më 12 janar 2022 ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati në prill të këtij viti.

Lidhur me këtë kishte reaguar Ambasada Britanike, duke thënë se vendimi i KPK-së për hapjen e këtij konkursi pa përkrahjen e tyre, ishte befasues.

Ndryshe, konkursi për këtë pozitë ka qenë i hapur në afat prej 15 ditëve pas shpalljes së tij, duke filluar nga 17 janari e deri më 4 shkurt 2022.

KPK në atë takim ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, përmes shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ky panel do të kryesohet nga kryesuesi i KPK-së.

Ndërsa, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve ndaj procesit të poentimit, pas tërheqjes së shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.

Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.

Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.

Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi./Insajderi.com