KPK shkarkon Lavdim Krasniqin nga pozita e drejtorit të Sekretariatit pas akuzës për korrupsion

KPK shkarkon Lavdim Krasniqin nga pozita e drejtorit të Sekretariatit pas akuzës për korrupsion

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim të shkarkojë nga detyra e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqin, transmeton Insajderi.com.

Ky vendim u mor në mbledhjen e së martës në platformën online, me ç’rast kjo pikë e rendit të ditës ishte diskutuar prapa dyerve të mbyllura, ndërsa shkarkimi i ish-drejtorit Krasniqi u bë i ditur përmes komunikatës për media të këtij këshilli.

Në këtë komunikatë thuhet se Këshilli kishte aprovuar propozimin e Komisionit Disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj Krasniqit.

“Si pikë e rendit të ditë ishte edhe trajtimi i Raportit të Komisionit Disiplinor për rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së (i suspenduar), me ç’rast Komisioni i ka propozuar Këshillit që ndaj të njëjtit të shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës, gjë për të cilën anëtarët e KPK-së, kanë miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor”, thuhet në kumtesë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj Krasniqit më 13 gusht të këtij viti.

Aktakuza është ngritur edhe ndaj zyrtarëve tjerë të dyshuar në këtë rast, Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe një personi tjetër F.D. Ata po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve, mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituar me kryerjen e veprës penale. /Insajderi.com