Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar se gjashtë mijë e 800 fletëvotime të ardhura me postë janë refuzuar, ndërsa më shumë se 16 mijë të tjera janë aprovuar, njofton Insajderi.
Kështu është shprehur ai për Gazetën Online Insajderi, duke shtuar se pjesa më e madhe e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës.
“Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 5 mijë, janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit”, ka thënë ai.
Elezi shton se arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë.
Siç njofton ai, disa nga aktivitetet që po zhvillohen në QNR pothuajse janë në fund, siç është skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike. /Insajderi.com