KQZ certifikon sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve

KQZ certifikon sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten do të certifikojë rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Shqip.com ka treguar se certifikimi i rezultateve do të bëhet nga ora 16:30 në mbledhjen e radhës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencë për media

“Ju njoftoj se sot, e premte, 29 tetor, ora 16:30, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës ku do të bëhet certifikimi i rezultateve përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha Elezi.

Ndryshe, të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 17 tetor.

Sipas rezultateve, në 17 komuna janë zgjedhur kryetarët e rinj duke fituar mbi 50 për qind  të votave, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor.

Ndërkaq, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka pranuar katër ankesa nga partitë politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, për Shqip.com ka treguar se tri ankesa i kanë pranuar për rezultatin e zgjedhjeve dhe një ankesë lidhur me fushatën që po bëhet para kohës së paraparë për fushatë në balotazh./Insajderi.com