KQZ deklarohet rreth zarfeve që kanë ardhur nga jashtë Kosovës

KQZ deklarohet rreth zarfeve që kanë ardhur nga jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së sotme ka vijuar me procedimin e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Zëdhënës i KQZ-së Valmir Elezi ka deklaruar se pas verifikimeve dhe kontrolleve nga organet kompetente të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, sot është konstatuar se tashmë nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetur dhe nën masa të caktuara mbrojtëse, mund të procedohen më tutje.

“Përkundër komplikimeve që janë shfaqur gjatë këtij procesi, KQZ është e përkushtuar që ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor, sigurinë e zyrtarëve operues dhe po ashtu edhe procesin e zbardhjes së këtij rasti”, u shpreh ai.

Ky proces ka qenë ndërprerë me datën 13 tetor, për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me zarfet e ardhura nga Serbia dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme.

Prokuroria dhe Policia kanë filluar zhvillimin e hetimeve dhe kanë marrë provat dhe dëshmitë e nevojshme – material të dyshuara si të kontaminuara- dhe se procesi i hetimeve është duke vazhduar.