KQZ: Do të veprojmë në përputhje me vendimet e PZAP-së

KQZ: Do të veprojmë në përputhje me vendimet e PZAP-së

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion do të veprojë në përputhje me vendimet e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykatës Supreme sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë, njofton Insajderi.

“KQZ-ja ka pranuar vendimet nga PZAP-ja, përmes së cilave vërtetohen vendimet e komisionit. Ne do të veprojmë në përputhje me vendimet e PZAP-së, pra do të presim sepse në fund të tyre ka këshilla juridike, sipas të cilave është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi para mediave.

PZAP-ja ka aprovuar vendimin e KQZ-së i cili ia pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatëve të cilët janë të dënuar në tri vitet e fundit me dënim të formës së prerë.

Në mesin e atyre që nuk janë certifikuar është edhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Partitë që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme. Supremja do të ketë tre ditë afat për vendim.

Procesi i certifikimit mbyllet më 31 janar./Insajderi.com