Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për ta gjobitur me 350 euro Nismën Socialdemokrate, pasi ky subjekt politik nuk e ka lajmëruar KQZ-në për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, njofton Insajderi.
Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, tha se kjo parti e ka dorëzuar dokumentacionin 20 ditë me vonesë.
“Do të përcaktojmë gjobë e që është 350 euro gjobë për subjektin politik që nuk është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Zyra e ka njoftuar subjektin politik edhe 10 ditë pasi e kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe dokumentet i kanë sjellë me 20 ditë vonesë. Kjo shumë duhet të sillet para certifikimit të partisë”.
Nisma obligohet që brenda afatit pesë-ditor të dërgojë në KQZ kopjet e Kuvendit zgjedhor dhe formularin gjegjës, si dhe ta paguajë gjobën e shqiptuar, në të kundërtën, nuk do të marrë asnjë financim publik dhe s’do të certifikohet nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhje./Insajderi.com