Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar në shtatë institucione përgjegjëse emrat e tre mijë e 205 kandidatëve të cilët kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e 17 tetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media bëri të ditur se listat janë dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Doganën e Kosovës.
Ai tha se edhe rreth dy mijë emra të tjerë do të dërgohen së shpejti në këto institucione për verifikim.
“Është kërkuar për secilin nga kandidatët që të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjshmërisë që mbulojnë. Shkresat janë dërguar në institucione të ndryshme si Këshillit Gjyqësor të Kosovës, MPB-ja, MPJ-ja, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia për Inteligjencë dhe Dogana e Kosovës”, u shpreh Elezi.
Ai sqaroi se kanë kërkuar verifikim nëse dikush nga kandidatët është shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
Pastaj nëse kandidatët janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës; nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nëse janë përfaqësues diplomatik.
Ndërkohë, deri më 1 shtator KQZ-ja do të marrë vendim lidhur me certifikimin e kandidatëve./Insajderi.com