Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt. Në këtë listë përfshihen edhe votuesit jashtë vendit. Nga 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim, KQZ-ja ka aprovuar 102 mijë e 100, njofton Insajderi.
Zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi, në një përgjigje për Insajderi-n ka njoftuar se lista përfundimtare e votuesve brenda vendit përmban një milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.
“Pra, në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes”, ka thënë ai.
Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej dy mijë e 382 vendvotime.
Ndërsa, lidhur me votuesit nga jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë periudhës së aplikimit (13 – 21 janar), Elezi është shprehur se janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione.
“Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar”, tha ai./Insajderi.com